Harris: Nuk ulem në takim me presidentin rus

Në një intervistë për CBS News, kandidatja Demokrate për presidente, Kamala Harris, foli mbi çështjet më të rëndësishme për amerikanët në zgjedhjet e 5 nëntorit, duke u ndalur tek ekonomia, emigracioni i paligjshëm dhe shëndetësia.
Harris u shpreh se për të rregulluar situatën në kufi dhe për të ndalur emigracionin e paligjshëm, Demokratët kanë kërkuar bashkëpunimin e Republikanëve në Kongres dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur.
“Projektligji i parë që i kemi propozuar Kongresit ishte të rregullonim sistemin tonë të shkatërruar të emigracionit. Ne e dinim se për të rregulluar diçka të tillë do të kishim nevojë që Kongresi të vepronte. Projektligji nuk avancoi. Ishte Donald Trump ai që iu tha Republikanëve në Senat dhe Kongres, “mos e lejoni miratimin e këtij projektligji”. Është pikërisht i njëjti person që thotë se do ta zgjidhë këtë problem, ai që e ndaloi diçka të tillë të ndodhte.”
Zëvendëspresidentja aktuale e Shteteve të Bashkuara u shpreh se nën administratën Biden ka pasur një lulëzim të ekonomisë amerikane, por pranoi se ka një rritje të ushqimeve bazë për qytetarët e vendit të saj, me 25%, dhe për dicka të tillë, ajo u shpreh se ka një plan nëse vjen në pushtet. Harris u ndal edhe tek dy konfliktet më të rëndësishme globale: lufta në Lindjen e Mesme e Izraelit me Iranin, si dhe lufta në Europën Lindore mes Rusisë dhe Ukrainës.
Kandadatja e Demokratëve për presidencialet e nëntorit u shpreh se lufta në Lindjen e Mesme duhet të marrë fund, ndërsa u përgjigj edhe mbi faktet që dëshmojnë se qeveria e Benjamin Netanyahut, nuk po dëgjon këshillat e Washingtonit, duke vepruar në mënyrë të njëanshme edhe me pushtimin tokësor të Libanit, së fundmi.
“Siç e kam thënë edhe më parë, Izraeli ka të drejtë të mbrohet por mënyra sesi e bën diçka të tillë, ka shumë rëndësi. Shumë palestinezë të pafajshëm janë vrarë dhe kjo luftë duhet të marr fund. Nuk është pyetja e duhur a kemi një aaleancë me Kryeministrin Netanyahu, pyetja e duhur është a kemi një aleancë të rëndësishme mes popullit amerikan dhe popullit izraelit dhe përgjigja për këtë pyetje është “Po”.”
Harris u shpreh se lufta në Ukrainë nuk mund të përfundoje duke u cenuar integriteti territorial i këtij vendi, ndërsa shtoi se nuk do të mbante një takim dypalësh me Vladimir Putinin, pa pjesëmarrje të Kievit në tryezën e negociatave të paqes.
“Jo, nuk do të ketë një takim bilateral pa Ukrainën. Ukraina duhet të ketë të drejtën e fjalës për të ardhmen e saj. Sa i përket çështjes së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ne do të merremi me diçka të tillë kur të vijë koha e duhur. Tani ne po mbështesim Ukrainën që të mbrojë veten e saj. Më lejoni t’iu them diçka, Nëse Trump do të ishte president i Shteteve të Bashkuara, Putin do të ishte ulur në Kiev tashmë.”
Në përfundim të intervistës për “60 minutes” në CBS , krah Kamala Harrisit u shfaq edhe kandidati Demokrat për zëvendëspresident, Tim Waltz, i cili tha se Harris e kishte këshilluar atë që të jetë më i kujdesshëm mbi mënyrën sesi i thotë gjërat.
Kandidati Tim Waltz është akuzuar nga Republikanet se ai ka gënjyer për përfshirjen e tij në ushtrinë amerikane dhe operacionet e tij ushtarake jashtë vendit.