Kurti: Kosova s’ka masa tregtare ndaj Serbisë, por masa të sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dal në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.
Në konferencë për media ai ka deklaruar se Kosova s’ka masa tregtare ndaj Serbisë, por masa të sigurisë.
“Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë, Kosova ka masa të sigurisë për shkak se për dy vjet na e kanë sjell ushtrinë katër herë afër kufirit dhe për shkak se kemi konfiskuar katër herë sasi të jashtëzakonshme enorme të armatimit. Ndërkohë që grupi terrorist i Milan Radojçiqit mbetet i lirë. Natyrisht që ne nuk kemi mundur që të hapim kufirin për të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që nuk e kemi marrë ende skanerët që edhe duam t’i blejmë edhe na kanë premtuar. E kemi hapur një pikë të kufirit me ç’rast kjo është në Merdar për shkak që terminali doganor është vetëm 300 metra larg nga pikëkalimi kufitar, ku lejohet kalimi i mallrave, por me një kontroll të shtuar. Meqenëse bëhet fjalë për masa të sigurisë , kurrsesi për masa tregtare siç janë duke u përpjekur disa që të na i veshin”, tha Kurti në konferencë për media.
Të hënën Ministria e Punëve të Brendshme ndryshoi masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdar.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se në pikëkalimin kufitar në Merdar për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë./Indeksonline/