Shala, për Ligjin për shërbyesit civilë: PDK-ja e ka të domosdueshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se qeveria aktuale është e paaftë dhe pa alternativë të funksionimit të institucioneve shtetërore.
Përmes një postimi në Facebook, Shala deklaroi se qeveria po nxjerr opinione të brendshme ligjore, duke arsyetuar dështimin e saj, e duke u munduar të fusë shërbyesit civilë në një qorrsokak mashtrimesh.
“Opinioni publik është i informuar që Qeveria e Kosovës nuk është pajtuar me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese dhe me këtë qëllim ka futur në plotësim ndryshim Ligjin për zyrtarë publikë, krejt kjo me qëllim të rifutjes së neneve të kontestuara nga Partia Demokratike e Kosovës, të vërtetuara si shkelje flagrante e Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese”, shkroi midsi tjerash Shala.
Ai i rekomandon qeverisë të jetë mendjehapur e të mos fajësojë më pas opozitën për bllokim të institucioneve.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka të domosdoshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të mbrojtur kushtetutshmërinë”, përfundoi Shala.
Ky është postimi i plotë i tij:
Qeveri e paaftë dhe pa alternativë të funksionimit të institucioneve shtetërore!
Përderisa Qeveria e Kosovës po nxjerr opinione të brendshme ligjore, duke arsyetuar dështimin e saj, po mundohet të fusë shërbyesit civil në një qorrsokak duke i mashtruar që të njëjtit të nxjerrin vendime të kundërligjshme pa bazë ligjore si ushtrues të detyrave.
Opinioni publik është i informuar që Qeveria e Kosovës nuk është pajtuar me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, dhe me këtë qëllim ka futur në plotësim ndryshim ligjin për zyrtar publik, krejt kjo me qëllim të rifutjes së neneve të kontestuara nga Partia Demokratike e Kosovës, të vërtetuara si shkelje flagrante e Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese.
Andaj, qeveria duhet të jetë mendjehapur që në kurriz të amandamentimit të nenit 35 të Ligjit për zyrtar publik mos të fajësojë nesër opozitën për bllokim të institucioneve, sepse në këtë formë si ata kanë proceduar ligjin në kuvend duke ri futur nenet antikushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës e ka të domosdoshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të mbrojtur kushtetutshmërinë.