75 Mall Live Search
10:17 / E Premte, 11 Tetor 2024 / S Z

Kasanof sot takon liderët e opozitës, takimet do të jenë të ndara

Zv.ndihmëssekretari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, sot do të takojë edhe partitë opozitare.

Një ditë pasi ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, diplomati amerikan do t’i takojë edhe liderët e tri partive opozitare.

Kasanof liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së do t’i takojë në takime të ndara, në orë 10:00 zyrtari i lartë i amerikan do ta takojë liderin e AAK-së, Ramush Haradinja.

Në ditën e parë të vizitës së tij, Kasanof ka takuar liderët institucionalë.

Fillimisht, ai ka takuar presidentes e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit, presidenca ka lëshuar komunikatë për media, ku janë treguar disa detaje të takimit.

Sipas komunikatës, Osmani dhe Kasanof kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e partneritetit SHBA-Kosovë.

“Në këtë kontekst, presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veriatlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit”, është thënë në komunikatën e presidencës.

Pa takimit me Osmanin, diplomati amerikane është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit, Zyra e kryeministrit ka njoftuar se temë kryesore e diskutimit ishte dialogu me Serbinë.

“Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj. Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”, është thënë në njoftimin e Zyrës së kryeministrit.

Zyrtari amerikan nuk është deklaruar për media pas takimeve me liderët institucionalë të Kosovës.

Kasanof erdhi në këtë pozitë, pasi i përfundoi mandati amerikanit tjetër, Gabriel Escobar.