Telekomi humb dhe një rast, Inspektorati vendos në favor të punëtorit

Punonjësit të Telekomit Kushtrim Vrajollit i ishte ndryshuar pozita e punës gjatë një procesi të ristrukturimit dhe riorganizimit në Telekom.
Vrajollit i cili ishte me kontratë pune në kohë të pacaktuar në pozitën e punës “Zyrtarë i lartë për marketing Mix” në Departamentin për Marketing në lartësi të gradës 10, iu shua pozita dhe se atij iu ofrua një pozitë e re e punës, si “U.D zyrtar për menaxhimin e kontentit TV”, në Drejtorinë e Marketingut , shitjes dhe kujdesit për konsumatorë, në lartësi të gradës 9, duke filluar nga data 24.05.2024 deri me datë 23.08.2024.
Por Vrajolli nuk e pranoi pozitën e ofruar, e cila parashihte kontratë pune me kohë të caktuar për tre muaj dhe gradë më të ulët 9.
Vrajolli ka refuzuar një propozim të tillë dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së punëdhënësit, për nënshkrimin e kontratës së punës së caktuar si U.D zyrtar për menaxhimine kontentit tv”, me arsyetimin se është në kundershtim me Ligjin e Punës.
Me datë 12 qershor Vrajolli është ftuar sërish që të sistemohet në poziten e re të punës, duke iu dhënë një afat prej dhjetë ditësh për të nënshkruar kontratën. Pas kësaj me datë 01 korrik Kryeshefja ekzekutive e Telekomit, ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës Kushtrim Vrajollit, raporton Indeksonline.
Në vendimin e Inspektoratit të Punës, të cilin e ka siguruar Indeksonline thuhet se megjithëse Telekomi i Kosovës përmes një emaili e ka njoftuar Vrajollin se Telekomi është në proces të ristrukturimit dhe se pozita të cilën Vrajolli ka ushtruar deri atëherë është shuar dhe se tashmë atij i është propozuar pozita më e lartë e mundshme në strukturen e re organizative, konform përgatitjes profesionale dhe nevojës së departamentit, ai nuk e ka pranuar atë.
Vrajolli pretendon se kontrata e punës e cila i është ofruar me kohë të caktuar, është në kundershtim me nenin 10 të Ligjit të Punës dhe me kontratën e punës. Vrajolli ka parashtuar ankesë në komisionin e ankesave në Telekom, por se nuk ka marrë asnjë përgjigjje.
E ankesa e Vrajollit ka marrë një përgjigjje nga Inspektorati i Punës, i cili ka konstatuar se pajisja e punonjësit me kontratë pune për kohë të caktuar nga kontrata e punës e cila ishte në kohë të pacaktuar si dhe ulja e gradës pa pëlqimin e tij, është cënim i dispozitës së nenit 10 paragrafit 1 dhe 2 si dhe cenim i dispozitës së nenit 17 të Ligjit të Punës.



