75 Mall Live Search
20:29 / E Martë, 15 Tetor 2024 / MSH

Haradinaj: Roli i prijesve fetarë në Kosovë, jetik për krijimin e një shoqërie tolerante

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava.

Haradinaj pas takimit ka thënë se roli i prijesve fetarë në Kosovë ka qenë jetik për krijimin e një shoqërie tolerante. 

“I nderuar që sot në selinë e re të Aleancës pata rastin ta pres kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava. Në një diskutim të hapur e miqësor folëm për proceset nëpër të cilat po kalon njeriu i Kosovës dhe shteti ynë. Roli i prijesve fetarë në Kosovë ka qenë jetik për krijimin e një shoqërie tolerante, vlerë kjo që na bën krenarë edhe si popull edhe si shtet”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se AAK është e hapur për të adresuar çështje që kanë të bëjnë me komunitetet fetare. 

“Aleanca gjithmonë do të jetë e hapur për të diskutuar dhe adresuar çështjet dhe sfidat që kanë të bëjnë me komunitetet fetare në Kosovë, pa dallim”, është shprehur Haradinaj.