75 Mall Live Search
09:12 / E Enjte, 17 Tetor 2024 / MSH

Pacolli i reagon Kryeziut për telefonatat me Listën Serbe: Është e vrazhdë të përhapesh të pavërteta

Behgjet Pacolli i ka reaguar zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziut, lidhur me deklarimin e tij për telefonatën me nënkryetarin e Listës Serbe.

Sipas Pacollit, është “e vrazhdë” që Kryeziu, si zëdhënës i qeverisë, të përhapë të pavërteta.

“Ju lutem, para se të jepni deklarata të pavërteta, pyesni, së pari kryeministrin dhe presidenten. Ata do t’ju tregojnë se telefonata është bërë me kërkesën e tyre, për të siguruar prezencën e një deputeti shtesë” shkroi Pacolli në një postim në Facebook.

Ai shtoi se për vete nuk ka pasur nevojë për vota, e që pushtetarët aktual kanë siguruar edhe prezencën e deputetit Adem Hodža, pikërisht në momentin kur u votua presidentja.

“Zbardhja publike e këtij rasti nuk ka të bëjë me ndonjë skenar të caktuar. Dje, u pyeta në mënyrë eksplicite nga gazetari dhe nuk kam mundur të devijoj, të mos them të vërtetën!” deklaroi Pacolli.

Ky është postimi i plotë i tij:

I nderuar z. Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë,

Ju keni deklaruar se “nuk është e vërtetë që ka ndodhur telefonata e famshme me nënkryetarin e Listës Serbe, ne prezencën e Kryeministrit” për sigurimin e një prezence që mundësoi zgjedhjen e Presidentes.

Është e vrazhdë, si zëdhënës i qeverisë, të përhapësh të pavërteta!

Ju lutem, para se të jepni deklarata të pavërteta, pyesni, së pari Kryeministrin dhe Presidenten. Ata do t’ju tregojnë se telefonata është bërë me kërkesën e tyre, për të siguruar prezencën e një deputeti shtesë.

Unë nuk kam pasur nevojë për vota, dhe do të ishte absurde që ta bëja këtë telefonatë pa kërkesën e tyre, për te cilët ata kishin nevojë!

Ata do t’ju tregojnë gjithashtu për rrethanat e telefonatës, që u bë në praninë e tyre, nga zyra private e Kryetares së atëhershme të Kuvendit, në orët e para të ditës kur ndodhi votimi për Presidenten.

Si rezultat i kësaj telefonate, u sigurua prezenca e deputetit Adem Hodža, ne momentin e votimit te presidentës

Zbardhja publike e këtij rasti nuk ka të bëjë me ndonjë skenar të caktuar. Dje, u pyeta në mënyrë eksplicite nga gazetari dhe

nuk kam mundur të devijoj, të mos them të vërtetën!