75 Mall Live Search
18:29 / E Martë, 22 Tetor 2024 / MSH

Reshitaj bën thirrje të ndëshkohen abuzuesit dhe shkelësit e ligjit

IndeksOnline raportoi sot se ka dhënë dorëheqje drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, dr. Lulzim Kamberi.

Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për shkak të cenimit të të drejtave në marrëdhënie të punës nga neni 218, lidhur me nenin 31 të Kodit penal 06/L-074 te Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar deputetja, Albena Reshitaj.

Duke shpërndarë një intervistë të saj të pesë ditëve më parë në Tëvë1, Reshitaj u shpreh se ka ardhur koha që të ndërmirren masa dhe hapa vendimtarë që të sjellën përpara drejtësisë individët që brenda institucioneve abuzojnë me autoritetin e tyre.

“Këta individë, të cilët veprojnë në kundërshtim të plotë me parimet e integritetit dhe etikës, janë ndër kontribuuesit kryesorë në dobësimin dhe shkatërrimin e institucioneve tona.

Këta mercenarë nuk janë të interesuar për mirëqenien e vendit, zhvillimin e Kosovës apo të partive politike që iu ngjiten vetëm në kohë kur mendojnë që mund t’i shfrytëzojnë ato. Prioriteti i tyre është përfitimi vetjak, duke përdorur çdo qeveri që vjen në pushtet për interesat e tyre personale” u shpreh mes të tjerash Reshitaj.

Reshitaj, me këtë rast, ka rikujtuar dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat qartësojnë se keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar është një veprim i rëndë ligjor.

Ky është postimi i plotë i saj:

Të nderuar qytetarë,

Ka ardhur momenti që të ndërmarrim hapa vendimtarë për t’i sjellë para drejtësisë individët brenda institucioneve tona që abuzojnë me autoritetin e tyre dhe shfrytëzojnë çdo mundësi për përfitime personale.

Këta individë, të cilët veprojnë në kundërshtim të plotë me parimet e integritetit dhe etikës, janë ndër kontribuuesit kryesorë në dobësimin dhe shkatërrimim e institucioneve tona.

Këta mercenarë nuk janë të interesuar për mirëqenien e vendit, zhvillimin e Kosovës apo të partive politike që iu ngjiten vetëm në kohë kur mendojnë që mund t’i shfrytëzojnë ato. Prioriteti i tyre është përfitimi vetjak, duke përdorur çdo qeveri që vjen në pushtet për interesat e tyre personale.

Për më tepër, është shqetësuese që disa nga udhëheqësit në këto institucione, në vend që të marrin masa disiplinore, materiale dhe penale ndaj këtyre shkelësve, jo vetëm që i mbrojnë, por madje i avancojnë në pozita më të larta.

Ky veprim përbën një shkelje flagrante të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili përcakton qartë se zyrtarët që përfshihen në veprime të paligjshme, që janë nën hetime apo kanë aktakuza, duhet të pezullohen nga detyra.

Në këtë kontekst, dua të rikujtoj dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat qartësojnë se keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar është një veprim i rëndë ligjor.

Zyrtarët që tejkalojnë kompetencat e tyre ose dështojnë të përmbushin detyrat me qëllim përfitimi personal apo për të shkaktuar dëm të tjerëve, mund të përballen me dënime deri në tetë vjet burgim.

I bëj thirrje organeve kompetente të veprojnë me urgjencë për ndëshkimin e këtyre abuzuesve dhe shkelësve të ligjit, në mënyrë që të parandalojmë dëmet e mëtejshme që po i shkaktojnë institucioneve tona dhe shoqërisë në përgjithësi.

(Nje nga ta ishte edhe UD i drejtorit të ARPL së në ministrinë e MMPHI me zhvillimin e zingjirit të keqpërdoruesve.)