Mbyllet për publikun seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Seanca e shqyrtimt gjyqësor ndaj Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, të mërkurën është mbyllur për publikun, për shkak se kishte për t’u dëgjuar nëna-bashkëshortja e të akuzuarve Mehmetaj.
Kërkesën për mbyllje të seancës e bëri mbrojtësja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, avokatja Kosovare Kelmendi, me arsyetim për ruajtjen e privatësisë së familjes Mehmetaj, e në veçanti për pyetjet për vajzën e tyre të ndjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ëshë kërkesë e dëshmitarëve- familjarëve të këtu të akuzuarve C., dhe I.M., që në rastin e dëgjimit të tyre sot seanca të jetë e mbyllur dhe të përjashtohet publiku për shkak të ndjeshmërisë së rastit, me theks të veçantë për shkak të pozitës së C.M., e cila përveç që është bashkëshortë dhe nënë e të akuzuarve, është po ashtu edhe nëna e të ndjerës H., Andaj duke pas parasysh ndjeshmërinë dhe kompleksitetin, kërkojmë nga trupi gjykues që të aprovohet ky propozim”, tha avokatja Kelmendi.
Sipas avokates Kelmendi, neni 289, par.3, pika 3.2 i Kodit të Procedurës Penale ka paraparë që mund të kërkohet përjashtimi i publikut për shkak të mbrojtjes së jetës personale apo familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve të tjerë në procedurë.
Gjithashtu, ajo theksoi se dëshmitarja e sotme kishte qenë dëshmtare e Prokurorisë, e që nga ana e zyrtarëve policorë në fazë të hetimeve kishte pasur pyetje të parashturara për të cilat kërkoi që seanca të mbyllet.
Prokurorja Sahide Gashi, e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes lidhur me përjashtimin e publikut dhe konsideroi që nëse mbrojtja eventualsiht ka pyetje për këtë dëshmitare që cenon çfarëdo të mire morale, etike, edhe të të ndjerës H., mund të mbyllet seanca për atë pjesë.