Hoti: Qeveria Kurti braktisi dialogun për njohje

Gjatë ditës së djeshme në Bruksel është mbajtur takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë, por që nuk prodhoi ndonjë rezultat.
Lidhur me këtë takim ka ardhur edhe reagimi nga ana e ish-kryeministrit të Kosovës dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti ka thënë se qeveria Kurti braktisi dialogun për njohje.
‘’Mungesa e rezultatit të takimit nuk është për shkak të kushtëzimit të Kosovës për njohje reciproke, si mundësia e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Qeveria LVV-Guxo, qysh në fillim, ka hequr dorë nga ky kushtëzim duke e braktisur dialogun për njohje të nisur në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja. Mungesa e rezultatit të këtij takimi lidhet me kundërshtimin e Kosovës për kohën e themelimit të asociacionit, të cilin qeveria LVV-Guxo, me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit dhe draftin e statutit të asociacionit, e avancoi dhe e nxori jashtë rendit kushtetues të Kosovës’’, ka shkruar Hoti.
Hoti ka shtuar se qeveria LVV-Guxo është e vetmja nga shpallja e pavarësisë pa asnjë progres në këtë drejtim, pa asnjë njohje apo anëtarësim, pa asnjë marrëveshje strategjike.
Përkundrazi, marrëveshja e Brukselit/Ohrit e ka stopuar rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, thotë ai./Indeksonline/