75 Mall Live Search
21:00 / E Mërkurë, 30 Tetor 2024 / S Z

Gërvalla: Kosova e ka të vërtetën në anën e saj, mbrojtja e kësaj të vërtete është detyrë primare dhe privilegj i madh

Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, ka përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku është diskutuar për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e misionit mbështetës në Kosovë (UNMIK).

Pas këtij takimi Gërvalla ka shkruar në Facebook se Kosova e ka vërtetën në anën e saj dhe mbrojtja e kësaj të vërtete, është detyrë primare dhe privilegj i madh.

“Para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në përballjen e parë para Kombeve të Bashkuara me Ministrin e Jashtëm të Serbisë Marko Gjuriq, u pa qartë që vetëm fytyrat kanë ndërruar, por jo edhe strategjia për të luftuar Republikën e Kosovës me gënjeshtra, sajime dhe propagandë.  Bota sot e dëgjoi të vërtetën. E dëgjoi të vërtetën edhe për aleatin e Radojçiçit, Markon e veshur me petkun e tejdukshëm të evropianit, nën të cilin nuk fshihen dot synimet e qarta hegjemoniste të Vuçiçit dhe djelmoshave të tij”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ndërsa ka thënë se përfaqësuesit e UNMIK-ut sot përsëri dëshmuan para gjithë botës që nuk qëndrojnë gjithmonë në anën e së vërtetës dhe jo rrallë shërbehen me propagandën që iu servohet.

“Ka ardhur koha të përmbyllet ky mision”, ka shkruar Gërvalla.