Zjarrvenia në qendrën tregtare “The Village” në Ferizaj, kërkohet paraburgim për të arrestuarin

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i përgjithshëm njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.M., për veprën penale “Zjarrvënia” sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës.
Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 24 tetor 2024, në Ferizaj, i pandehuri E.M., me dashje kishte shtyrë dy të mitur që të kryenin veprën penale zjarrvënie, në atë mënyrë pasi që i njëjti ishte mllefosur me të dëmtuarin A.D., shtyn njërin nga të miturit që për çmimin prej 1000 eurosh, t’i vinte zjarrin veturës së të dëmtuarit, kështu që rreth orës 03.26, në vendparkimin e qendrës tregtare “The Village”, njëri nga miturit me një çekan thyen dritaren e derës së veturës së të dëmtuarit të tipit “Fiat Abart”, e pastaj i mituri tjetër hedh benzinë në brendi të veturës dhe ia vë flakën, e cila dëmtohet tërësisht dhe vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 19.000.00 euro , me të cilën do të kryente shtytje për të kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 paragrafi 1 lidhur me nenin 32 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri që nga data 31 tetor 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur.