75 Mall Live Search
13:37 / E Premte, 01 Nëntor 2024 / H F

Serbi Millorad Gjokoviq “zgërdhihet” në seancën gjyqësore, derisa dëshmitari kosovar rrëfen për krimet e tij

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është duke u mbajtur seanca kundër serbit Millorad Gjokoviq.

Fillimisht i akuzuari Gjokoviq u ankua se nuk ka marrë shkresat e nevojshme, e poashtu edhe në seancën e kaluar sipas tij nuk i është dhënë fjalë kur ka kërkuar nga trupi gjykues.

“Unë nuk do të marrë pjesë në këtë seancë për shkak që nuk më janë dorëzuar shkresat. Po më shkelen të drejtat se poashtu edhe seancën e kaluar nuk më është dhënë fjala kur e kam kërkuar”, ka thënë i akuzuari.

Pas kësaj ankese trupi gjykues  i ka rekomanduar të njejtat ankesa ti shqyrtojë me prokurorinë.

Ndërkohë dëshmitari Halit Gashi ka dorëzuar një të Ditar “Libër lufte” i përkthyer edhe në gjuhen serbe, transmeton IndeksOnline.

Ai poashtu paraprakisht ka dhënë deklaratën e tij përballë trupit gjykues, dhe akuzat që kishte për serbin Gjokoviq.

Dëshmitari, Gashi deklaroi se Gjokoviqin e kishte parë me sytë duke e vrarë Esat Morinën dhe se këtë rast e ka denoncuar qysh në vitin 2016, për çka thotë se ka fakte e dëshmi.

Gjatë seancës, i akuzuari Gjokoviq nuk i mbante të qeshurat, me ç’rast edhe i është tërhequr vërejtja disa herë nga trupi gjykues.

Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Aktualisht i pandehuri gjendet në paraburgim./ Indeksonline/