75 Mall Live Search
20:06 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2024 / Z S

Bislimi pret në takim lamtumirës Përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim lamtumirës Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, i cili shoqërohej dhe nga pasuesi i tij në këtë pozitë, Eirik Nestås Mathisen.

Në takim u bisedua mbi situatën në vend dhe progresin e katër viteve të fundit.

‘’Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e pareshtur të Norvegjisë ndaj Kosovës. Më tej, u bisedua mbi situatën në vend dhe progresin e katër viteve të fundit, ku zëvendëskryeministri theksoi ndër të tjera rritjen ekonomike, rritjen e punësimit me theks tek të rinjtë dhe gratë, mbështetjen për herë të parë përmes shtesave për fëmijë dhe nënat lehona, fillimi i operimit në bilanc pozitiv i ndërmarrjeve publike, apo edhe sundimi i ligjit’’, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se u vlerësua dhe arritja së fundmi e marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtetet anëtare të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Norvegjia, duke shtuar kështu mundësitë për shkëmbime dhe bashkëpunim më të madh ekonomik e tregtar mes dy vendeve./Indeksonline/