Ministri kroat i Shëndetësisë arrestohet me dyshimin për korrupsion

Pas një operacioni të rrufeshëm, policia kroate arrestoi sot në mëngjes ministrin e Shëndetësisë, Vili Berosh, disa drejtues të lartë të shëndetësisë dhe mjekësisë si edhe drejtues të kompanive private, të gjithë nën hetim për korrupsion.
Berosh, ministër i Shëndetësisë në tri qeveritë e kryeministrit konservator, Andrej Plenkoviq që nga viti 2020, kur ai menaxhoi sistemin kombëtar shëndetësor gjatë pandemisë së koronavirusit, u arrestua në shtëpinë e tij dhe më pas u kontrollua me urdhër të Zyrës për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kryeministri Plenkoviq shkarkoi menjëherë ministrin Berosh, duke emëruar nënsekretarin aktual në krye të departamentit, në pritje të një emërimi të ri politik.
Arrestimi dhe shkarkimi i ministrit tronditi skenën politike kroate, pasi ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të fuqishëm dhe më të ngushtë të kryeministrit, raporton syrinet.
Sipas informacioneve fillestare, Berosh po hetohet për rastet e korrupsionit për blerjen e pajisjeve të sofistikuara mjekësore përmes tenderëve publikë, përfshirë mikroskopët robotikë, për të cilët janë dhënë çmime shumë më të larta se sa vlera e tyre reale./Indeksonline/