Të drejtat e fëmijëve diskutohen nesër në Komitetin Ndërministror

Nesër më fillim nga ora 09:00, me qëllim të shënimit të 20 Nëntorit-Ditës Botërore të Fëmijëve, do të mbahet takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.
Takimi është lajmëruar nga Zyra e Kryeministrit.
Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve është krijuar për të komunikuar dhe koordinuar politikat, programet dhe proceset në lidhje me çështjen e të drejtave të fëmijëve, brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të lehtësuar realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe për t’iu ofruar atyre mundësi të barabartë për pjesëmarrje aktive në shoqëri.
“Takimi do të na shërbejë për të diskutuar në pika të përgjithshme për çështjet më me rëndësi drejt jetësimit të të drejtave të fëmijëve në përputhje me kornizën ligjore, bashkëbisedim me fëmijë, si dhe të pajtohemi për veprimet që duhet adresuar më me prioritet në vitin 2025”, thuhet në njoftim.