75 Mall Live Search
10:55 / E Mërkurë, 20 Nëntor 2024 / mp

Dyshime për dërgimin e KRM “Pastrimi”në falimentim, në Komunën e Prishtinës mbahet dëgjim publik

Në Komunën e Prishtinës po mbahet dëgjimi publik për KRM “Pastrimi”. Ky dëgjim është iniciuar nga kuvendi i kryeqytetit.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Pastrimi” Petrit Reçica, ka reaguar dje ndaj kryetarit Përparim Rama dhe Drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, të cilët sipas tij janë duke e dërguar këtë ndërmarrje në falimentim.

Ai në Facebook ka shkruar se komuna po kontrakton kompani private për mbledhjen e mbeturinave, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e KRM “Pastrimi”.

Reçica, tha se janë 900 punëtorë që rrezikojnë të mbesin pa paga.

 “Me publikimin për kontraktimin e kompanive private për mbledhjen e mbeturinave në 6 lote për vlerën 16.5 milionë euro Komuna e Prishtinës po bën një hap të qartë drejt margjinalizimit të ndërmarrjes publike rajonale KRM “Pastrimi,” duke rrezikuar drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e saj. Kjo ndërmarrje, me 900 punëtorë në nivel rajonal, prej të cilëve 300 në Prishtinë, është një shtyllë e rëndësishme e shërbimeve publike për qytetarët. Me këtë veprim po tentohet të shpenzohen 16.5 milionë euro vetëm në shërbim me 0 investime kapitale, çka nënkuptohet që kryeqyteti pas skadimit të kontratës do të kthehej në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave“, thuhet në reagim.

Ai ka kërkuar që kryetari Rama të ndalojë me këto veprime.

“Vendimet e komunës duket se synojnë falimentimin e KRM “Pastrimi” dhe privatizimin e shërbimeve thelbësore për qytetarët, duke minuar parimet e menaxhimit transparent dhe efektiv të mbeturinave. I bëjmë thirrje kryetarit të komunës Përparim Rama, që të ndalojë këto veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë qindra vende pune dhe të rikthejë fokusin te mbrojtja e interesit publik. Gjithashtu, kërkojmë një qasje të drejtë për mbështetjen e KRM “Pastrimi”, si një ndërmarrje publike rajonale me më shumë se 67 vjet ekzistencë dhe e cila ka shërbyer me përkushtim për vite me radhë“, tha ai.