75 Mall Live Search
10:26 / E Enjte, 21 Nëntor 2024 / k.v

I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj “Plakut të Bregut” i dyshuar për vrasje në tentativë në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Harbin Vitijës i njohur me nofkën “Plaku i Bregut”, i cili dyshohet për tentativëvrasjen e ndodhur më 13 qershor në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi.

“Masa e paraburgimit i është vazhduar nga data 18.11.2024 e deri 18.01 .2025” ka thënë Gashi raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Hakmarrja ime do të jetë…” ishte shkruar në granatën e dorës që u gjet në banesën e “Plakut të Bregut”.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se më 13 qershor 2024, rreth orës 21:20 në rrugën “Xheladin Hana”, për shkak të mosmarrëveshjeve me persona të panjohur, njëri prej të cilëve ishte Z.G., me qëllim të hakmarrjes, tenton ta privojë nga jeta atë dhe personat që banonin në banesën ku dyshohet se banonte Z.G.

Me këtë, Vitija thuhet se ka vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, duke shkrepur disa herë me armë zjarri në drejtim të banesës. Sipas Prokurorisë, plumbat kanë goditur edhe një banesë tjetër. Më pas, i pandehuri kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe qëndroi në arrati derisa u arrestua nga Policia.

I pandehuri Vitija dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, ai dyshohet se ka mbajtur armë pa leje, pasi me armën AK-47 kishte shkrepur në vendin e ngjarjes. Jashtë në oborr prapa banesës u gjetën dhe sekuestruan 19 gëzhoja, ndërsa në banesën e cila dyshohet se ishte cak i sulmit u gjetën nëntë predha që dyshohet se kanë ardhur nga jashtë.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Ai gjithashtu dyshohet se me dashje ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm me armë zjarri në banesën e të dëmtuarit A.A., e cila banesë gjendet më poshtë banesës që dyshohet se ishte cak i sulmit. Si pasojë e thyerjes së xhamave, thuhet se i dëmtuari A.A. kishte pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar trajtim mjekësor. Të njëjtit i është shkaktuar dëm material.

Vitija është arrestuar më 18 qershor 2024 dhe gjatë kontrollit të banesës së tij thuhet se janë gjetur një granatë dore me mbishkrimin “Hakmarrja ime do të jetë mos sot, një ditë po. Plaki”, një kallashnikov AK-47 me një fishek në tytë, një armë zjarri “Zoraki”, 25 fishekë, një thikë, një karikator për armë të shkurtra, dy karikatorë për AK-47 dhe dy fishekë, të cilat janë sekuestruar. Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 të Kodit Penal.

Prokuroria ka konsideruar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprat penale të lartcekura dhe me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në procedurë dhe pengimit të përsëritjes së veprave penale, kërkohet caktimi i masës së paraburgimit me arsyetimin se janë plotësuar të gjitha kushtet.

Prokuroria ka konsideruar se po të gjendet në liri, i dyshuari mund të arratiset për t’i shmangur përgjegjësisë penale, të fshehë apo ndryshojë provat dhe mund të përsërisë veprën penale ose të kryejë vepra të natyrës tjetër. Përmendet fakti se nga koha e kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka qenë në arrati dhe pas një pune intensive, u gjet dhe u arrestua.