Gratë greviste s’pranojnë takim me Komisionin për të drejtat e njeriut

Sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës ishte paraparë që të mbahej një takimi midis grave greviste të Kuvendit të Kosovës me anëtarët e komisionit për të drejtat e njeriut.
Mirëpo gratë greviste, punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës, kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin në Komisionin për të drejtat e njeriut, e barazi gjinore.
Kjo ka bërë që kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje del që t’i takonte ato jashtë ambientet e Kuvendit të Kosovës.
“Ne si komision kemi menduar që të bisedonim fillimisht me gratë, me i marrë të gjitha informatat për ata dhe pastaj me i ftua sekretarin (e kuvendit) edhe pronarin e firmës dhe me vazhdua. Ne si deputetë nuk kemi asnjë përgjegjësi, kemi parë që janë jashtë dhe kemi menduar që sekretari dhe personi përgjegjës kanë menduar që do të gjejnë zgjidhje”, u shpreh Balje.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e komisionit.
Fillimisht, tha se janë në pritje të raportit nga Inspektorati i Punës, nëse greva ka qenë në rregull.
“Ne e kemi pas 275 euro e kemi kërkuar 400 ose 550 euro dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asgjë. Marre për ju, ne kemi besuar në ligj dhe ende besojmë, por që nuk na nevojitet askush por raporti i Inspektoratit të Punës që ne kemi qenë gjithçka në rregull me ligjin dhe ju jeni ata që na keni larguar nga holli i kuvendit dhe ju jeni ata që e keni thyer Ligjin e grevës”, u shpreh Azemi.
Ai deklaroi se janë kategorikisht kundër që të dialogojnë me deputetët nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre./Indeksonline/