75 Mall Live Search
12:56 / E Mërkurë, 27 Nëntor 2024 / MSH

Kurti sheh nga afër armatimin e FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës sot po shënon “Ditën e forcës”.

Dyert e të gjitha kazermave në vend janë hapur për qytetarët të interesuar të shihnin armatimin dhe automjetet e ushtarëve, shkruan IndeksOnline.

Gjatë ditës, ngjarjes në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë iu bashkuan kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Kurti shfaqi interesim në njohjen e armatimit të ekspozuar, duke bashkëbiseduar si me ushtarët, ashtu edhe me qytetarët që po vizitojnë kazermën.

“Armët, municioni, i cili vazhdimisht po shtohet edhe për nga numri edhe për nga lloji. Nëse e krahasojmë me vitet e mëhershme me qeverisjen tonë kemi dyfishim të numrit të ushtarëve, kemi trefishim të buxhetit, kemi katërfishim të trajnimeve jashtë vendit. Dhe kemi shumëfishim në armatim dhe municion. Armatimi është i blerë nga vend e NATO, SHBA, Turqia, Gjermani, Mbretëria e Bashkuar e të tjerë. Forca jonë po forcohet vazhdimisht dhe me këtë rast po forcohet edhe Republika”, tha Kurti.