75 Mall Live Search
15:21 / E Premte, 06 Dhjetor 2024 / Z S

Lista Serbe thotë se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.

Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike.

Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe tha: “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”./Indeksonline/