Reagon Sveçla pasi “defunksionalizoi” mikrofonin e kryekuvendarit të Prishtinës

Pas mbledhjes së Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Gëzim Sveçla, vandalizoi pajisjet e sallës së mbledhjeve.
Incidenti ndodhi pas miratimit të buxhetit për vitin 2025 nga Kuvendi Komunal.
Lidhur me këtë ka folur vetë asambleisti i VV-së, Gëzim Sveçla në rrjetin social në Facebook.
Sveçla ka theksuar se, për të pamundësuar vazhdimin e seancës dhe për të parandaluar miratimin e projekteve që, sipas tij, dëmtojnë qytetin dhe zhvillimin e tij, ai ka tentuar të defunksionalizonte mikrofonin e kryesuesit të kuvendit.
Reagimi i plotë:
Për të pamundësuar vazhdimin e një seance të jashtëzakonshme klandestine të Kuvendit Komunal, ku do të votohej Plani Zhvillimor Komunal dhe zgjerimi i Zonës Ekonomike, në një moment kam provuar ta defunksionalizoja mikrofonin e kryesuesit të kuvendit.
Edhe pse mikorfoni u rregullua, seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit dhe, të paktën përkohësisht, nuk u miratuan projekte qe e dëmtojnë qytetin, e ngulfasin zhvillimin dhe ju shërbejnë pronave të oligarkëve duke i shndërruar nga toka bujqësore e hapësira të gjelbra në zona ekonomike.
Pazaret personale e partiake, favoret e kusuritjet për financim të fushatave zgjedhore nuk mund të bëhen në dëm të qytetit Prishtinës. Mbase veprimet për t’i parandaluar këto pazare nuk janë pamjet që do të donim t’i shihnim, por Prishtina është më e rëndësishme se çdo imazh i paraqitur./Indeksonline/