75 Mall Live Search
16:00 / E Martë, 10 Dhjetor 2024 / Z S

Durmishi i reagon Abdixhikut: Gjatë këtij mandati gjithsej kemi shtruar mbi 450 km rrugë

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i ka reaguar kandidatit të LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një videoje ironizuese tha se pushteti i VV-së për 4 vjet i shtroi dy kilometra rrugë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Durmishi u shpreh se gjatë këtij mandati të VV-së në qeveri janë shtruar mbi 450 kilometra rrugë në total, ku sipas tij, vetëm në veri janë shtruar mbi 65 kilometra dhe 100 të tjera janë në proces.

“Vetëm në veri të vendit kemi shtruar mbi 65 km rrugë me asfalt dhe 100 km janë në proces. Ndërkaq, ati yt politik, kryetari yt i nderit, si Kryeministër ka shkuar në atë pjesë vetëm për një përurim, madje urë, që ishte projekt i KFOR-it. Shkuarja për shkak të bandave kriminale ishte bërë nëpërmjet rrugëve malore madje.Gjatë këtij mandati gjithsej kemi shtruar mbi 450 km rrugë në total dhe shumë të tjera janë në proces. Është hera e parë që ministria jonë ka financuar projekte në të gjitha komunat e Kosovës pa e diskriminuar asnjë komunë të vetme. Kjo asnjëherë nuk ka ndodhur më parë. 175 projekte të reja në komuna janë financuar nga ne”, shkroi Durmishi.

Tutje, Durmishi tha se brenda këtij mandati të VV-së në pushtet po përfundojnë rrugët Prishtinë – Podujevë dhe Prishtinë – Mitrovicë, të cilat sipas tij, kanë nisur më shumë se një dekadë më parë./Indeksonline/