400 familje pa drita në Gjirokastër, moti me reshje shkakton probleme me energjinë

Edhe gjatë ditës së martë Qarku i Gjirokastrës ka qenë i përfshirë nga moti i keq dhe reshjet e shiut.
Megjithëse me intensitet mesatar reshjet vazhdojnë të jenë problematike për sa i përket furnizimit normal me energji elektrike të zonave malore.
Në Qarkun e Gjirokastrës rreth 400 familje vazhdojnë të ndeshin probleme si shkak i defekteve teknike në rrjet dhe stakimeve të vazhdueshme të energjisë. Stafi i OSHEE-së ndodhet në terren për riparimin e linjave të dëmtuara të energjisë.
Reshjet e shiut nuk kanë shkaktuar probleme për sa i përket përmbytjeve ndërsa niveli i lumenjve Drino dhe Vjosë është në parametrat stinorë, raporton Euronewsalbania.
Ditën e martë Policia Rrugore ka rritur praninë përgjatë rrugëve kombëtare dhe dytësore në Qark ndërsa nuk janë regjistruar aksidente rrugore me pasoja të rënda. Strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren për të mbështetur banorët në rast të përkeqësimit të motit./Indeksonline/