Administratori i TI-së, Betim Ismajli, reagon ndaj pretendimeve ndaj tij: Akuza të pabazuara, do të ndjek rrugën ligjore

Administratori i Teknologjisë së Informacionit (TI), Betim Ismajli, ka reaguar ndaj pretendimeve të emisionit Kiks Kosova në Klan Kosova, ku ai akuzohet se ofron shërbime me pagesë për përgatitjen e temave të diplomës. Ismajli i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe propagandistike, duke theksuar se nuk ekziston asnjë fakt apo dëshmi që i mbështet ato.
“Emisioni Kiks Kosova ka raportuar gabimisht pozitën time, duke më prezantuar si profesor, ndërsa unë jam administrator i TI-së,” deklaroi Ismajli. Ai theksoi se raportimi është bazuar në një faqe të universitetit dhe e konsideron manipulim të të vërtetave. “Nuk kam pretenduar asnjëherë se jam profesor dhe nuk e kuptoj arsyen pse Kiks Kosova ka bërë një propagandë të tillë, duke u bazuar në faqen e Fakultetit të Arkitekturës, ku qartë figurojnë emri, mbiemri dhe pozita ime e saktë. Gjatë storjes, emisioni ka manipuluar duke fshehur faktet dhe duke më quajtur profesor,” shtoi ai, duke paralajmëruar masa ligjore për mbrojtjen e reputacionit të tij.
Sipas Ismajlit, pretendimet e emisionit janë të pavërteta dhe përbëjnë një sulm të padrejtë ndaj integritetit të tij profesional. “E vërteta do të dalë në pah përmes institucioneve ligjore,” përfundoi ai.
Ky është reagimi i plotë nga Ismajli:
DEKLARATË PUBLIKE
Unë, Betim Ismajli, Administrator i TI-së për sisteme në Fakultetin e Arkitekturës pranë Universitetit të Prishtinës dhe nuk jam profesor, hedh poshtë me forcë dhe kategorikisht demantoj pretendimet e paraqitura në emisionin “Kiks”, transmetuar në Klan Kosova, ku aludohet për përfshirjen time në shitjen e temave të diplomës.
Këto akuza janë tërësisht të pavërteta, tendencioze dhe përbëjnë një përpjekje të qëllimshme për të njollosur reputacionin tim personal dhe profesional. Materialet e prezantuara, përfshirë komunikimet e supozuara në platformën Viber, janë të fabrikuara dhe nuk kanë asnjë lidhje me mua që tregojë pretendimet e KIKS që unë kinse shes tema të diplomës.
. Pretendimet e ngritura bazohen në burime anonime dhe të pabazuara, duke munguar çdo provë të mirëfilltë që do të justifikonte këto akuza të rënda.
Gjatë gjithë karrierës sime akademike dhe profesionale, kam vepruar me integritet të plotë dhe përkushtim ndaj studentëve, duke i mbështetur në mënyrë profesionale dhe etike për të zhvilluar idetë e tyre akademike. Asnjëherë, në asnjë rrethanë, nuk kam ofruar ose shitur tema diplome dhe nuk kam kryer ndonjë veprim që bie ndesh me parimet e etikës profesionale, ligjit dhe ndërgjegjes sime.
Për këtë arsye:
1. Kërkoj një hetim të menjëhershëm, të gjithanshëm dhe transparent nga organet kompetente, për të sqaruar në mënyrë të qartë dhe të paanshme situatën dhe për të dëshmuar se këto pretendime janë të pabazuara. Jam i gatshëm të ofroj të të gjitha paisjet për ekspertizë ligjore, në mënyrë që e vërteta të dalë në pah.Besimi im në drejtësi më bën të bindur se e vërteta do të dalë në pah dhe do të vërtetojë integritetin tim profesional.
2. I bëj thirrje Klan Kosovës dhe ekipit të emisionit “Kiks” të paraqesin prova të pakundërshtueshme për pretendimet e tyre. Në mungesë të provave të tilla, këto mbeten shpifje të papranueshme që jo vetëm dëmtojnë reputacionin tim personal dhe profesional, por minojnë besueshmërinë e publikut ndaj gazetarisë së përgjegjshme dhe etike.
3. Do të ndërmarr masa ligjore për shpifje ndaj televizionit dhe individëve të përfshirë në këtë fushatë të qëllimshme denigruese. Nuk do të lejoj që reputacioni im dhe vlerat profesionale të njollosen nga materiale të fabrikuara dhe insinuata pa asnjë bazë. Nëse televizioni nuk i përgjigjet kërkesës sime për heqjen e materialit dhe paraqitjen e provave, do të ndjek rrugën ligjore për të kërkuar dëmshpërblim për dëmin moral dhe profesional që më është shkaktuar.
Gjithashtu, ftoj publikun që të mos nxitojë në gjykime mbi bazën e insinuatave të fabrikuara dhe propagandës. Ndërkohë, i bëj thirrje Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshillit të Mediave të reagojnë ndaj kësaj praktike të papranueshme, që cënon rëndë standardet etike të gazetarisë dhe dëmton seriozitetin e këtij profesioni. Praktika të tilla janë një dëm i madh jo vetëm për individët e sulmuar, por edhe për vetë raportimin mediatik dhe besimin e publikut.
Jam i përkushtuar të mbroj të vërtetën dhe integritetin tim profesional dhe deklaroj me bindje të plotë se asnjë tentativë e qëllimshme nuk do të më ndalojë në këtë qëllim. Propaganda nuk mund të triumfojë mbi të vërtetën.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen.
Me respekt,
Betim Ismajli
Administrator i TI për sisteme.
Universiteti i Prishtinës