75 Mall Live Search
15:01 / E Martë, 17 Dhjetor 2024 / S Z

OKB pret që një milion sirianë të kthehen në vendin e tyre në gjysmën e parë të vitit 2025

Një zyrtar i agjencisë së refugjatëve të OKB-së ka thënë se rreth një milion refugjatë sirianë pritet të kthehen në vend në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, duke u kërkuar vendeve që të përmbahen nga kthimet e detyruara, shkruan the Guardian.

Rema Jamous Imseis, drejtoreshë e Unhcr për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, tha se shpresojnë që “një milion sirianë do të kthehen midis janarit dhe qershorit të vitit të ardhshëm”.

Të paktën 374,000 sirianë janë zhvendosur nga luftimet që çuan në përmbysjen e Bashar-al Assadit, sipas vlerësimeve të OKB-së, në krye të milionave tashmë të pastrehë nga lufta civile 13-vjeçare e vendit, e cila filloi pasi ish-presidenti sirian i shtypi protestat pro-demokracisë në vitin 2011.

Imseis tha se mijëra njerëz u larguan nga Siria këtë muaj pasi rebelët morën pushtetin nga regjimi i Assadit, ndërsa mijëra ishin kthyer gjithashtu në vend kryesisht nga Turqia, Libani dhe Jordania.

Shumë vende europiane kanë thënë se do ta pezullojnë përpunimin e kërkesave për azil për sirianë, me Austrinë në mesin e atyre që tashmë po përgatitin një program “riatdhesimi dhe dëbimi”.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha më herët sot se ai pret që Bashkimi Europian ta mbështes kthimin në shtëpi të sirianëve që u larguan nga vendi gjatë luftës civile. Miliona sirianë ikën në Turqi për të kërkuar strehim, ku shumica jetojnë në Stamboll, Gaziantep ose Sanliurfa.