“Siria s’është kërcënim për botën”

Udhëheqësi de-facto i Sirisë, Ahmed Al-Sharaa, ka deklaruar se vendi nuk paraqet kërcënim për shtetet fqinje e as për Perëndimin.
Lideri rebel tha se Siria është rraskapitur nga lufta.
Në një intervistë për BBC-në, Al-Sharaa bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.
“Tani, pas gjithë asaj që ka ndodhur, sanksionet duhet të hiqen, sepse kishin shënjestër regjimin e vjetër. Viktima dhe shtypësi nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë”, tha ai, transmeton IndeksOnline.
Al-Sharaa udhëhoqi ofensivën që rrëzoi regjimin e Bashar al-Asadit, më pak se dy javë më parë.
Ai është udhëheqësi i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grup dominues në aleancën rebele.
Sipas tij, HTS-ja duhet të hiqet nga lista e organizatave terroriste, pasi që ky grup nuk targetoi civilë e as zona civile.
Al-Sharaa konsideron se vet HTS-ja ka qenë viktimë e regjimit të Asadit, duke mohuar se synojnë të kthejnë Sirinë në një version të Afganistanit.