Avokati Bajraktari: Shqetësuese kushtet dhe mënyra e trajtimit të ish krerëve të UÇK-së në Hagë

Avokati, Ardian Bajraktari, ka bërë të ditur se i ka ndjekur me shqetësim intervistat e z. Gucati dhe z. Haradinaj për sa i përket kushteve dhe mënyrës së trajtimit të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qendër të paraburgimit në Hagë.
Bajraktari, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se referuar Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara i plotësojnë standardet ndërkombëtare përkatëse.
“Me vëmendje dhe shqetësim kam përcjellë intervistat e z. Gucati dhe z. Haradinaj për sa i përket kushteve dhe mënyrës së trajtimit të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qendër të paraburgimit në Hagë.
Referuar Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara i plotësojnë standardet ndërkombëtare përkatëse, neni 41, paragrafi 8.
Për më tepër, ky paragraf përcakon mundësinë e inspektimit dhe monitorimit të trajtimit të të paraburgosurve dhe kushteve që mbahen ata nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ose ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare që pranon t’i inspektojë dhe monitorojë ato ambiente.
Një kërkesë nga ana e institucioneve tona në këtë drejtim, është e nevojshme dhe shumë e domosdoshme, madje edhe shumë urgjente’, ka shkruar Bajraktari./Indeksonline/