75 Mall Live Search
14:39 / E Martë, 31 Dhjetor 2024 / MSH

Sallahu kritikon vendimin e supremes për ankesën e LVV-së: Pse po duan ta lejojnë certifikimin e Listës Serbe me patjetër?

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, deklaroi se ankesa e LVV-së lidhur me certifikimin e Listës serbe është hedhur poshtë nga Gjykata Supreme.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm për pengesat procedurale, por për shkak të veprimeve të vazhdueshme antikushtetuese dhe antiligjore, në mbrojtje të akteve terroriste, me të cilin është cënuar seriozisht siguria e shtetit ishte dashur që mbrojtja e sigurisë nacionale shtetërore t’i mbivendoset pengesave procedurale dhe kësisoj ankesa jonë të ishte shqyrtuar në mënyrë meritore dhe kështu t’i ndalohej Listes Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare 2025”, u shpreh Sallahu.

Ai thotë se me këtë vendim i është hapur rrugë një subjekti politik anti-kushtetues, që mbështet pa rezerva veprimet terroriste, shkruan IndeksOnline.

“Dhe në këto momente tepër vendimtare për vendin përgjegjësinë e këtij certifikimi skandaloz për partinë e Radojçiqit do ta mbajë sistemi gjyqësor dhe opozita”, tha Sallahu.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot e kemi pranuar Aktvendimin Gjykatës Supreme me të cilin është hedhur poshtë ankesa  e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për shkaqe procedurale.

Ne kemi qenë të vetëdijshëm për pengesat procedurale, por për shkak të veprimeve të vazhdueshme antikushtetuese dhe antiligjore, në mbrojtje të akteve terroriste, me të cilin është cënuar seriozisht siguria e shtetit ishte dashur që mbrojtja e sigurisë nacionale shtetërore t’i mbivendoset pengesave procedurale dhe kësisoj ankesa jonë të ishte shqyrtuar në mënyrë meritore dhe kështu t’i ndalohej Listes Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare 2025.

Gjykata Supreme i ka hapur rrugë një subjekti politik antikushtetues dhe mbështetës i parezervë i veprimeve terroriste të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Pse po duan ta lejojnë certifikimin e Listës Serbe me patjetër?

Dhe në këto momente tepër vendimtare për vendin përgjegjësinë e këtij certifikimi skandaloz për partinë e Radojçiqit do ta mbajë sistemi gjyqësor dhe opozita.

Të dyja po shpalosen si pjesë përkrahëse të Listes serbe në një formë apo formën tjeter.