75 Mall Live Search
13:29 / E Premte, 10 Janar 2025 / k.v

Lëshohet urdhërarrest për njërin nga të akuzuarit në rastin e njohur si “400 kg kokainë”

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhërarrest për të akuzuarin Kadri Sheqiri, pasi që ai ka munguar në seancë e planifikuar për ditën e premte.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi njoftoi paraprakisht gjykatën se ka kontaktuar me të mbrojturin e tij dhe se ai i kishte thënë se gjendet në Shqipëri raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam biseduar mbrëmë në telefon pas thirrjes se tij afërsisht 5:51 në mbramjë dhe e pyeta ku do te takohemi nesër, ai me njoftoi se gjendet në Shqipëri. I thash me u nis menjëherë dhe njëhkosisht e njoftova për pasojat e mosprezences së tij për këtë seancë edhe sot kam tentu disa here por nuk ka qasje në telefon”, tha avokati Maliqi.

Me pas, gjykatësi i rastit, Ngadhnjim Arrni pas konstatimit se nuk ka kushte ligjore për mbajtje të seancës, njoftoi se do të lëshohet urdhër-arrestit ndaj të akuzuarit Sheqiri për sjellje me shoqërim për gjykimin e radhës.

“…për të akuzuarin Kadri Sheqiri kjo gjykatë do të lëshojë urdhër-arrestit për sjellje me shoqërim për datën dhe orën e shënuar, ndërsa pas sigurimit të prezencës së tij trupi gjykues do të vendosë për masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë”, tha gjykatësi Arrni.

Ndryshe, në seancën e sotme prezent ishin prokurori special, Valdet Gashi si dhe të akuzuarit, Izet Sheqiri me mbrojtësit, avokatët Florent Latifaj dhe Korab Sejdiu, Faton Vrajolli me mbrojtësin, avokati Leotrim Syla, Kadri Brahimi me mbrojtësin, avokatin Isuf Makolli dhe Fehmi Bytyqi me mbrojtësit, avokatët Ramë Dreshaj dhe Hydije Ademi.

Gjithashtu prezentë ishte edhe dëshmitarja Arta Sheqiri me avokaten, Majlinda Sadikaj.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.

Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.