Dardan Krivaqa sërish në Apel, seanca mbyllet për publikun

Në Gjykatën e Apelit të martën po shqyrtohen ankesat ndaj vendimit të dytë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin Dardan Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për vrasjen e Marigona Osmanit.
Por, kjo seancë u mbyll për publikun për shkak të natyrës së veprës penale raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prezent në sallën e gjykimit ishin Dardan Krivaqa me avokatin e tij Skender Musa dhe i akuzuari Arbër Sejdiu me avokatët Arbnora Shefkiu dhe Avni Ibrahimi.
Po ashtu, prezent ishin edhe i dëmtuari Muhabi Osmani me përfaqësuesin e tij, avokatin Gazmend Rexhepi, ndërsa mungoi e dëmtuara Valdete Osmani.
Kryetar i kolegjit është gjykatësi Xhevdet Abazi, anëtar Hashim Çollaku, ndërsa gjyqtare referuese Kadrije Goga-Lubishtani.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.
Edhe në rigjykim, Themelorja më 29 korrik 2024 e ka dënuar Krivaqën me burgim të përjetshëm, kurse Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burgim.
18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e keqtrajtuar në forma të ndryshme