Arrestohen kandidati dhe instruktori i një autoshkolle në Mitrovicë, pranoi para për kalim të testit me shkrim

Dy persona janë arrestuar për dhënie dhe marrje të ryshfetit në Mitrovicë. Sipas policisë njëri nga të dyshuarit i kishte ofruar para instruktorit të një autoshkolle private, me qëllim të lehtësimit të procedurave, për kalimin e testit me shkrim.
Në cilësi të provave materiale, janë sekuestruar 600 euro dhe dy telefona celularë.
“Dhënie/marrje e ryshfetit. Mitrovicë / 15.01.2025. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar për shkak të dyshimit se njëri prej tyre në cilësi të instruktorit të vozitjes në një autoshkollë private ka pranuar nga i dyshuari tjetër para me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim për kategorinë B të vozitjes. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 600€ (6X100) para të gatshme dhe dy telefona celularë. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë./Indeksonline/.