Shefja e UNMIKU-t shprehet e shqetësuar për mbylljen e strukturave paralele nga Qeveria

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka shprehur shqetësim lidhur me veprimet e Qeverisë së Kosovës kundër mbylljes së strukturave paralele, duke theksuar se këto veprime ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të individëve, veçanërisht atyre nga komunitetet joshumicë.
Policia e Kosovës realizoi një aksion të mërkurën, duke mbyllur strukturat paralele serbe në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë Lipjanin, Obiliqin, Prishtinën, Fushë Kosovën, Vushtrrinë, Novobërdën, Kamenicën, Vitin, Rahovecin dhe Skënderajn, si dhe disa zyra të paligjshme postare dhe tatimore.
Sipas UNMIK-ut, këto veprime rrezikojnë besimin e komunitetit në autoritetet e Kosovës.
Nga ana e tyre, thuhet se këto mbyllje kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë te individët, veçanërisht te ata që varen nga institucionet e financuara nga Serbia, duke përfshirë qendrat e mirëqenies sociale dhe zyrat postare.
“Zadieh shprehu shqetësimin për veprimet kundër institucioneve të financuara nga Serbia në mbarë Kosovën dje, të cilat rezultuan në mbylljen e disa institucioneve, duke përfshirë zyrat postare, ndërtesat e institucioneve dhe qendrat e mirëqenies sociale. PSSP-ja është e shqetësuar për ndikimin e këtyre mbylljeve në jetën e përditshme të individëve, veçanërisht atyre nga komunitetet joshumicë, të cilët varen drejtpërdrejt nga këto institucione. Veprime të tilla të njëanshme rrezikojnë besimin e mëtjeshëm ndërmjet komuniteteve dhe autoriteteve të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre të enjten.
Ziadeh ka ripërsëritur rëndësinë e zgjidhjes konstruktive të çështjeve të tilla, përmes një dialogu të hapur dhe të mirëbesueshëm, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
Ajo ka theksuar se çështjet e pazgjidhura duhet të diskutohen në mënyrë konstruktive dhe në kuadër të një procesi negociues, me qëllim që të arrihen zgjidhje të qëndrueshme për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.