75 Mall Live Search
10:56 / E Shtunë, 25 Janar 2025 / A. M.

Kush është i arrestuari i dyshuar për vrasjen e Lulzim Vishës, del foto e viktimës

Policia e Shtetit ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër në kuadër të hetimeve për vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha, i cili u ekzekutua mëngjesin e një dite më parë në Zall Mner, të Kamzës.

I arrestuari, Eduart Lami, 37 vjeç, u ndalua gjatë një operacioni të koduar “Silenciatori”, ndërsa Evis Lami, 31 vjeç, është shpallur në kërkim. Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i Eduart Lamit u krye për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjatë kontrollit në banesën e përdorur nga dy të dyshuarit në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, Policia sekuestroi:

  • Një armë zjarri automatike me silenciator
  • 15 fishekë luftarak
  • 4 gëzhoja të armës së zjarrit të gjetura në oborr
  • Një këllëf pistolete të tipit “Glok”
  • Një thikë dhe një sopatë

Arma dhe gëzhojat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar nëse janë përdorur gjatë vrasjes së Lulzim Vishës. Policia dyshon se ekzekutimi është kryer me një armë të pajisur me silenciator, pasi në zonën e ngjarjes nuk janë dëgjuar të shtëna.