Miratohet për pranimin e fajësisë mes prokurorisë dhe të akuzuarit për kanosjen e dy prokurorëve

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur midis Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe të akuzuarit Merxhan Rexhepi, i cili po akuzohet se kishte kanosur prokurorët special Valdet Gashi dhe Milot Krasniqin.
Gjatë seancës së shqyrtimit fillestar, mbrojtësja e pandehurit Rexhepi, avokatja Fehmie Bytyçi tha se i mbrojturi i saj në mënyrë vullnetare ka arritur këtë marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke i propozuar gjykatës që të njëjtë të aprovojë.
Ndërdkaq, avokatja Bytyçi kërkoi që të akuzuarit Rexhepi t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, për shkak se i njëjti është mbajtës i familjes dhe kjo e pengon që ai të punojë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, prokuroria Ardiana Veseli, i propozoi gjykatës që ta aprovojë këtë marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe të pandehurit t’i shqiptojë dënimin në bazë të kësaj marrëveshjeje.
Në këtë rast, pas dëgjimit të palëvë, gjyqtari i vetëm, Sabit Sadikaj aprovoi marrëveshje e arritur në mes palëve, ndërsa tha se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet ditëve në vijim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur, më 12 dhjetor 2024, në kohë ta pacaktuar, i pandehuri Rexhepi akuzohet se kanosi seriozisht personat zyrtar me fjalët që t’i privoj nga jeta dhe atë lidhur me punën dhe pozitat e tyre si prokuror të shtetit.
Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike në mediumin “Gjakovarë” është publikuar një shkrim për prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, e në të cilën postim i akuzuari ka komentuar “Veç plumbi këta kriminel të Serbisë i nal”, e që këto fjalë tek palët e dëmtuara shkaktojnë shqetësim dhe ankth.
Me këtë rast, i pandehuri Rexhepi akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragarfi 3 e lidhur me paargrafin 1 dhe 2 të KPRK-së.