75 Mall Live Search
08:47 / E Premte, 31 Janar 2025 / Z S

Enver Hoxhaj shpalos planin e PDK-së për mësimin tërëditor në të gjitha shkollat e Kosovës

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka prezantuar planin e partisë për transformimin e arsimit në Kosovë, duke synuar zbatimin e mësimit tërëditor në të gjitha shkollat e vendit.

Në një video të publikuar për qytetarët, ish-ministri i Arsimit dhe kandidati i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka theksuar se ky model do të garantojë një arsim më cilësor, shkolla më të sigurta dhe më të shëndetshme, si edhe një zhvillim më të plotë të nxënësve përmes aktiviteteve jashtëshkollore.

“Mësimi tërëditor përfshin laboratorë, biblioteka, zona kreative, sport dhe art, duke u dhënë fëmijëve kushte moderne për të mësuar dhe zhvilluar talentet e tyre. Ky është standardi global i arsimit, dhe Kosova sot e ka mundësinë ta realizojë këtë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka rikujtuar arritjet e tij si ministër i Arsimit, duke nënvizuar faktin se kishte transformuar sistemin arsimor nga pesë ndërrime në vetëm dy ndërrime në të gjitha shkollat e vendit.

“Jam shumë krenar që, si ministër i Arsimit, rrita që në të gjitha shkollat e Kosovës ta shndërroja mësimin nga pesë ndërrime, në dy ndërrime. Sot, prioritet e kemi mësimin tërëditor.”, ka thënë ai

PDK-ja ka bërë të ditur se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të saj dhe se mësimi tërëditor do të jetë një reformë kyç në qeverisjen e saj./Indeksonline/