Të shtëna me armë në Bruksel, policia kërkon të dyshuarit në metro

Policia belge është në kërkim të personave të armatosur, pasi të shtëna u raportuan jashtë një stacioni metroje, në qendër të Brukselit.
Pamjet e transmetuara nga mediat lokale shfaqin të paktën dy burra të veshur me kapuç dhe me armë në hyrje të stacionit “Clémenceau”, mëngjesin e sotëm.
Video nga vendi i ngjarjes tregon një shkëmbim zjarri rreth orës 06:15 me orën lokale, shkruan BBC-i.
Sarah Frederickx, zëdhënëse e policisë së Brukselit, tha se të dyshuarit ikën në stacion dhe mund të jenë ende në tunelet e metrosë.
Zëdhënësja tha se nuk pati të lënduar nga të shtënat.
Si policia lokale ashtu edhe ajo federale hekurudhore po kontrollojnë zonën.
BruxellesToday raportoi se të dyshuarit mbanin ato që dukej të ishin armë kallashnikovë.
Stacioni “Clémenceau” dhe ai pranë, “Bruksel-Midi”, janë mbyllur.