Manaj: Kosovës i duhet udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj, ka falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në tubimin e sotëm, që ishte përmbyllës i fushatës elektorale.
Përmes një postimi në Facebook, Manaj tha se kjo fushatë ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, duke krijuar mundësi për të qenë bashkë me qytetarët.
“Dhe sot, më shumë se kurrë, jam i bindur se vetëm bashkë mund ta sjellim ndryshimin që e meritojmë. Sepse Kosovës i duhet udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpresës së parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës”, shkroi Manaj.
Kujtojmë se në zgjedhjet e nesërme, Shkëmb Manaj bartë numrin 29 në listën e LDK-së.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Përfaqësues të strukturave tona,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Fushata jonë ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm – një mundësi për të qenë se bashku prapë, për të dëgjuar shqetësimet dhe shpresat tuaja, për të takuar familje, qytetarë e biznese, dhe për të ndarë biseda të sinqerta me njerëzit e mrekullueshëm të Kosovës sonë të dashur, duke shpalosur programin qeverisës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së Ibrahim Rugoves.
Mbështetja juaj ka qenë forca jonë e madhe, motivimi që na shtyn përpara! Ringritja e LDK-së po ndodh, ajo tashmë ka marrë formë. Nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, nga lagjja në lagje, nga shtëpia në shtëpi, në secilën derë dhe në secilën dorë të prekur, në secilën fytyrë, kam parë entuziazmin dhe besimin tuaj për një Kosovë që zhvillohet me dinjitet, për një të ardhme më të sigurt e më të begatë.
Dhe sot, më shumë se kurrë, jam i bindur se vetëm bashkë mund ta sjellim ndryshimin që e meritojmë. Sepse Kosovës i duhet udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpresës së parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës.
Unë jam njëri nga ju dhe do të jem me ju e për ju – sot e gjithmonë! Sot, në këtë moment vendimtar, zotohem të përfaqësoj me dinjitet e përkushtim çdo qytetar të Kosovës: mësues e arsimtarë, mjekë e inxhinierë, ekonomistë e juristë, profesionistë të çdo fushe dhe sipërmarrës të suksesshëm. Zotohem për një Kosovë të zhvilluar, me mundësi të barabarta për të gjithë, për një shtet që mbështet rininë dhe fuqizon familjet, për një ekonomi më të fortë dhe institucione që punojnë me ndershmëri.
Kosovës i duhet një qeveri rugoviste! Kosovës i duhet një Kryeministër rugovist, i duhet Lumir Abdixhiku!
Të dashur miq,
ju ftoj të gjithë që neser me 9 Shkurt të bashkohemi për një Kosovë më të mirë! Edhe njëherë kërkoj nga ana juaj mbështetjen tuaj për LDK-në dhe për kandidaturën time, duke votuar numrin 29 në listën fituese të LDK-së!
Voto LDK 124
Voto Lumir Abdixhiku 1
Voto Shkëmb Manaj 29
Bashkë për ndryshimin që duam! Bashkë për Republikën tonë!
I juaji përherë, Shkëmbi