Mergim Lushtaku: Mbi 200,000 zemra e mendje u rreshtuan me ne, për një Kosovë më të mirë

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Mergim Lushtaku ka thënë se në zgjedhjet e 9 shkurtit mbi 200,000 zemra e mendje u rreshtuan me PDK-në për një Kosovë më të mirë. Ndërsa ka thënë se mbi 400,000 shqiptarë dënuan një pushtet që për 4 vjet prodhoi vetëm skandale e për 30 ditë të fushatës ushqeu urrejtje, përçarje e vëllavrasje.
“Mbi 200,000 zemra e mendje u rreshtuan me ne për një Kosovë më të mirë, e në total mbi 400,000 shqiptarë dënuan një pushtet që për 4 vjet prodhoi vetëm skandale, ndërsa për 30 ditë të fushatës ushqeu urrejtje, përçarje e vëllavrasje. Xhipat e zinj dhe veturat zyrtare nuk e ndihmuan, as milionat e Nagipit e të Martinit nuk e ndihmuan. Me gjasë ekstazia e asambleistit të tyre Mujeci i ka bërë me halucinacione. Festonin dhe ofendonin, edhe pasi humbën shumicën që kishin pas dikur. Ai vazhdoi me të njëjtën gjuhë urrejtjeje, i quajti hajvana familjet e mbi 400 mijë votuesve, të tjerët rreth tij na shanë e ofenduan. Frustrimi i tyre është i madh dhe frika që do të përfundojnë aty ku e kanë vendin, edhe më e madhe”, ka thënë Lushtaku.
Ndërsa ka thënë se rezultatet i vonuan, tentuan edhe t’i manipulojnë, e sistemi kinse ju dështoi siç dështuan vet.
“Ama, një gjë është e sigurt, populli i dha shumicë parlamentare opozitës. Kosova meriton shumë më shumë, dhe do të bëhet #MaMirë! Faleminderit nga zemra për besimin dhe mbështetjen tuaj. Gjithmonë, me ju dhe për ju”, ka thënë Lushtaku.