Vëzhguesit në “1 Tetori” flasin për problemet teknike në sistemin e numërimit të votave

Afro 800 mijë qytetarë ushtruan të drejtën e tyre demokratike të votës, në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë është improvizuar Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku nga pasditja e djeshme është duke vijuar procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë, shkruan IndeksOnline.
Sylë Balaj, vëzhgues nga radhët e LDK-së, ka deklaruar për IndeksOnline se nuk ka përfunduar akoma procesi i numërimit të asnjë kutie.
“Jo, akoma s’ka përfundu. Nga ora 8 deri në ora 12, akoma asnjë kuti e përfunduar nuk është. Siç e shikoni edhe vet, prapë ka rënie të sistemit. Çdo 40 minuta po ka rënie të sistemit dhe nuk e di deri kur do të vazhdojmë kështu”, deklaroi Balaj.
Ai tha se situata e krijuar është duke shkaktuar probleme me numërim.
“Shumë probleme. Është përfundimi i kutisë së numërimit, pastaj bjen sistemi. Janë [shembull] 242 fletëvotime, aty e qet 242 e kanë tepruar edhe 3-4 fletëvotime se nuk kanë mujtë me hi në sistem, me rënien e tij. Kështu duhet me nis prapë prej fillimit, rinumërimi”, shtoi ai.
Njëjtë pohon edhe Diamant Rrmoku, vëzhgues nga radhët e LVV-së.
“Kemi nisë me vonesë sepse ka pasë probleme me sistem. Të kqyrim tash deri kur zgjatë. Po shkakton pak vonesa dhe normal edhe probleme”, deklaroi ai.