Shtatë vendvotime ende të paprocesuara, faqja e KQZ-së pa ndryshime që nga 12 shkurti

Edhe pse kanë kaluar disa ditë që nga koha e mbajtës së zgjedhjeve ende edhe 7 vendvotime kanë mbetur të paprocesura për të përfunduar procesi i numërimit të votave të rregullta për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas KQZ-së përditësimi i fundit është bërë më 12 shkurt.
Mësohet se nga nga procesimi i 2526 vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84 për qind të votave, apo 341 mijë e 672 vota.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184 mijë e 499 vota apo 22.05 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e treta me 17.67 për qind apo 147 mijë e 827 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët ka marrë 62 mijë e 309 vota apo 7.45 për qind, si subjekti i fundit që ka siguruar kalimin e pragut prej 5 për qind.

Theksojmë se të enjten KQZ-ja ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë ka nisur në qendrat komunale të numërimit në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.
KQZ-ja ka njoftuar se numërimi po bëhet në 26 qendra komunale./Indeksonline/