75 Mall Live Search
10:27 / E Premte, 14 Shkurt 2025 / S Z

Policia jep detaje për incidentin në QKUK: Gruaja u mor peng nga burri në vendin e saj të punës

Një incident i pazakontë ka ndodhur në orët e mëngjesit në hapësirat e Klinikës së Nefrologjisë në QKUK.  Një person ka mbajtur peng një grua, duke e kërcënuar se do të hidhej nga dritarja e dhomës.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin. Zëdhënësi i  policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci ka thënë për Indeksonlinen se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e hershëm rreth orës 06:30, kur dhe gruaja ka kërkuar ndihmë nga policia.

Sipas policisë gruaja u mor peng nga burri i saj, në vendin e punës. Aktualisht policia po trajton rrethanat e raportuara që ndërlidhen me rastin, përderisa të dyshuarin e ka shoqëruar në stacioni policor si pjesë e vijimësisë hetimore.

“Rreth orës 06:30, një grua ka kërkuar ndihmë nga policia pasi që është ndier e frikësuar nga bashkëshorti i saj i cili i ka shkuar në vendin e punës dhe i ka kufizuar lëvizjen.  Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurinë e ankueses, ndërkaq ka neutralizuar veprimet e të dyshuarit.  Aktualisht policia po trajton rrethanat e raportuara që ndërlidhen me rastin, përderisa të dyshuarin e ka shoqëruar në stacioni policor si pjesë e vijimësisë hetimore”, ka thënë Borovci./Indeksonline/