Berisha zbulon emrin e kandidatit të propozuar nga PD për Avokat të Popullit

Kryedemokrati Sali Berisha ka zbuluar emrin e kandidatit të propozuar nga Partia Demokratike për Avokat të Popullit.
Gjatë fjalës së tij në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kandidati i propozuar nga PD për Avokat të Popullit është Besim Ndregjoni, kryetari i Unionit të të Përndjekurve Politikë.
“Kandidat i Partisë Demokratike është kryetari i Unionit të të Përndjekurve Politikë, zoti Besim Ndregjoni”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Ditën e djeshme PD i ka kërkuar negociata PS-së për emrin e Besim Ndregjonit për Avokat të Popullit, por mazhoranca nuk ka marrë ende një vendim grupi, raporton A2CNN.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit është një proces i mbetur peng i dialogut politik që nga qershori i vitit 2023. Emrat janë mbështetur me firma vetëm nga opozita. 1 nga 7 emrat, Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustadaj, Edison Frangu dhe Erald Aga do të duhet të marrë edhe mbështetjen e socialistëve në mënyrë që të zërë vendin e Erinda Ballancës.
Kjo e fundit është zgjedhur që në vitin 2017, por qëndron ende në detyrë pavarësisht përfundimit të mandatit. Kujtojmë se për votimin e Avokatit të Popullit duhen 84 vota deputetësh në Parlament./Indeksonline/