75 Mall Live Search
17:47 / E Martë, 18 Shkurt 2025 / MSH

Valverde: Të gjithë po e shohin se çfarë po ndodhë me ne në këtë ligë

Mesfushori i Real Madridit, Fede Valverde, ka reaguar pas polemikave që janë shkaktuar nga kartoni i kuq që iu dha Jude Bellinghamit, ditën e shtunë.

Një ditë para ndeshjes me Manchester Cityn, Valverde u shpreh se i pëlqen se sa kurajo ka Bellingham, dhe se me sa pasion luan ai, shkruan IndeksOnline.

“Unë kurrë nuk do t’i thoja një lojtari të mos protestojë. Lojtarët e jetojnë lojën me presion të plotë. Ka lojtarë që e jetojnë lojën në një mënyrë, të tjerë në një mënyrë tjetër, por ajo që dua është që lojtarët të japin gjithçka në fushë. Jude është një lojtar që gjithmonë dëshiron të fitojë, gjithmonë dëshiron të luftojë.

Këtë herë ishte radha e tij, siç mund t’u ndodhë të tjerëve. Më pëlqen kurajoja e tij. Ne duhet të qëndrojmë së bashku si një ekip”, tha Valverde përpara mediave.

Me idenë që deklarata e tij të mos keqkuptohej, uruguajani reagoi sërish, duke thënë se e di veten dhe se fokusin tani për tani e ka të ndeshja e nesërme.

“Nuk dua që askush të më keqkuptojë, por mbi të gjitha dua të sqaroj për tifozët tanë: nëse sot nuk flas për arbitrimin që po e vuajmë, kjo është sepse unë e di veten time dhe duhet të fokusohem tek e nesërmja.

Të gjithë e kanë parë se çfarë po ndodh me ne në këtë ligë dhe nuk e harrojmë, por tani duhet të fokusohemi tek e nesërmja dhe do të jem 100% siç kam qenë gjithmonë”, u shpreh 26-vjeçari.