Siguria e Kosovës në udhëkryqin e përçarjes transatlantike

Shkruan: Meliza Haradinaj
Evropa është në rrethana të vështirësuara transatlantike, e Kosova si shtet që NUK njihet nga 5 anëtare të saj, NUK mund të mbështetet vetëm në BE – as për këto garanci e as për të avancuar rrugëtimin e saj të komplikuar EuroAtlantik!
Dikush duhet t’a thotë që 5-shja mosnjohëse e BE-së po vazhdon të bëhet faktor destabiliteti dhe pasigurie në Ballkanin Perëndimor, duke mos e lejuar Kosovën të ecë rrugës së saj të merituar, dhe duke ia lidhur fatin politik me Serbinë!
Institimi i Presidentit Trump që shtetet evropiane të ngrisin buxhetet kontribuese në NATO, ku përgjegjësia e sigurisë evropiane shpërndahet tek të gjitha shtetet barabartë, e nuk krijohet një marrëdhënie varësie vetëm në garancat amerikane – do të hapte mundësi që Kosova jo vetëm të forcojë sektorin e saj të sigurisë, por edhe të iniciojë marrëveshje direkte ushtarake me SHBA (qoftë përmes partneritetit strategjik, qoftë përmes ndonjë marrëveshjeje tjetër bilaterale) e pse jo – edhe që Kampi Bondsteel të mirëmbahet edhe me trupa shtesë nga FSK-ja dhe me kontribut financiar nga buxheti i Ministrisë sonë të Mbrojtjes (burden sharing strategy – e njohur për ekspertët e sigurisë).
Është krijuar një momentum i ri dhe Kosova nuk ka kohë për të humbur edhe këtë mundësi siç i humbi disa këto vitet e fundit (lufta në Ukrainë dhe agresioni Serb në Banjskë). Neve na duhen garanci sigurie nga SHBA përtej një baze ushtarake, dhe këto mund t’i arrijmë vetëm me urtësi e bashkërendim strategjik me SHBA.
Partitë politike pas çertifikimit të rezultateve zgjedhore do t’i mbajmë përgjegjëse se sa shpejtë ia ofrojnë Kosovës një qeveri stabile që do të jetë në gjendje të veprojë shpejtë e saktë në këtë momentum të ri gjeopolitik.