Hamasi dorëzon trupat e katër pengjeve izraelite te Kryqi i Kuq në Gaza

Grupi militant palestinez Hamas ka filluar të enjten transferimin e trupave të katër pengjeve izraelite që mbante që nga tetori i vitit 2023.
Sipas njoftimeve nga grupi, në mesin e viktimave janë tre anëtarë të familjes Bibas – nëna dhe dy fëmijët e saj të vegjël, të cilët ishin nëntë muajsh dhe katër vjeç në momentin e rrëmbimit.

Siç raporton BBC-i, imazhet tani tregojnë katër arkivole të zeza të rreshtuar në një skenë të ngritur në Khan Younis, në jug të Gazës.
Hamas pretendon se ata u vranë në një sulm izraelit në nëntor të vitit të kaluar.
Veturat e Kryqit të Kuq u panë duke u larguar nga sheshi pasi morën katër arkivolet nga Hamasi.
Kryqi i Kuq së shpejti do t’ua dorëzojë kufomat pjesëtarëve të forcave të mbrojtjes të Izraelit.

Ky është lirimi i parë i trupave të pengjeve të vdekur që nga fillimi i armëpushimit në Gaza muajin e kaluar. Izraeli ende nuk e ka konfirmuar këtë informacion dhe ka deklaruar se do të verifikojë identitetin e tyre përmes testeve mjekoligjore.