75 Mall Live Search
09:24 / E Premte, 21 Shkurt 2025 / S Z

Arrestohen dy shtetas turq dhe një i Maqedonisë së Veriut, keqpërdorën kartela bankare të shtetasve të huaj

Tre persona të dyshuar dy shtetas turq dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut janë arrestuar në Prishtinë, pasi që  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm,  dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, me çka është shkaktuar dëm i konsiderueshëm.  Ndërsa në cilësi të provave materiale janë sekuestruar,  POS terminale, kartela bankare, kartelë bankare e modifikuar, para të gatshme, SIM kartela, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuter, telefona mobil, si dhe dokumente relevante që ndërlidhen me veprën penale.

“Prishtinë  20.02.2025 – 09:30. Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka zhvilluar kontrolle në 3 lokacione të ndryshme dhe janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj, dy shtetas turq dhe një i Maqedonisë së Veriut. Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, me çka është shkaktuar dëm i konsiderueshëm. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: POS terminale, kartela bankare, kartelë bankare e modifikuar, para të gatshme, SIM kartela, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuter, telefona mobil, si dhe dokumente relevante (fatura, kuponë fiskal, etj.) që ndërlidhen me veprën penale. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë./Indeksonline/