75 Mall Live Search
14:15 / E Diele, 23 Shkurt 2025 / Gj. Sh

Përplasjet mes BE- së dhe Trump, ushtria turke përgatitet të marrë një rol kyç në sigurinë e Europës

Ndërsa udhëheqësit evropianë po përpiqen të forcojnë ushtritë e tyre mes rritjes së pikëpyetjeve mbi angazhimin amerikan për mbrojtjen e Europës, Turqia e cila krenohet si vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, mund të ketë një rol kyç në planet e Europës, veçanërisht sa i përket operacioneve paqeruajtëse në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shfrytëzoi vizitën e tij të martën në Turqi për të theksuar rëndësinë që ka dërgimi i trupave nga vendet aleate për të garantuar çdo marrëveshje paqeje të arritur me Rusinë.

“Dy çështje janë shumë të rëndësishme: një ushtri e fortë ukrainase dhe dislokimet në Ukrainë të ushtrive nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, partnerëve tanë”, tha ai.

Zelensky deklaroi  se diskutoi këtë çështje me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, por se është shumë herët për të zbuluar përfundimet e bisedimeve.

Ndërsa zoti Erdogan ka lidhje të ngushta me zotin Zelensky, udhëheqësi turk ka ruajtur marrëdhënie të mira edhe me Presidentin rus Vladimir Putin. Megjithatë, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, Turqia është në pozitë të përshtatshme për ta mbështetur Ukrainën.

“Nëse palët bien dakord, Turqia mund të dërgojë trupat tona në operacione paqeruajtëse. Pse e them këtë? Turqia ishte pjesë e shumë operacioneve paqeruajtësve të OKB-së dhe ushtria turke është shumë e fuqishme”, theksoi  këshilltari i presidentit të Turqisë  Mesut Casin.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov përjashtoi çdo mundësi për dërgimin e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Ukrainë.

Por rëndësia e ushtrisë turke për sigurinë evropiane mund të rritet, me Shtetet e Bashkuara që kërkojnë nga Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

“Mendojmë se kjo është një pjesë e rëndësishme e të qenit së bashku në një aleancë bashkëpunimi, që evropianët të rrisin angazhimin ndërsa Amerika përqendrohet në zona të botës që janë në rrezik të madh”, tha zv/presidenti amerikan JD Vance.

Me një ushtri masive krahasuar me çdo ushtri evropiane, Ankaraja thotë se mund të luajë rol kyç në mbrojtjen e Europës. /balkanweb/