Haxhiu: Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të jepte dëshmi në Prokurorinë Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se kryeministri Albin Kurti nuk ka refuzuar asnjëherë të jepte dëshmi në Prokurorinë Speciale
Në një konferencë për media, ministrja u pyet nga mediat nëse do t’i përgjigjet kryeministri kësaj thirrjeje nga prokuroria, shkruan IndeksOnline.
Lidhur me këtë, Haxhiu tha se kryeministri ka pasur vetëm një kërkesë, e që është të jepte dëshminë në kryeministri.
“Unë e kam thënë edhe më herët në konferencat që kemi pasur se kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar kërkesën që të jepte dëshminë e tij në raport me kërkesën që ka Prokuroria Speciale. Kryeministri i ka ftuar prokurorët t’i vinin në zyrën e tij në kryeministri që të jepte dëshminë e tij. Por që, prokuroria duket se nuk është e interesuar të marrë dëshminë e kryeministrit, pasi ka pasur disa mundësi, disa data që ka propozuar Kurti, për të marrë dëshminë. Nëse Prokuroria Speciale ka thënë se kryeministri nuk po pranon të japë dëshminë, kjo është e pavërtetë, është gënjeshtër, pasi kryeministri Kurti nuk ka refuzuar të jepte dëshmi…
Unë mendoj që nëse Prokuroria Speciale i është drejtuar kështu gjykatës, atëherë e ka mashtruar gjykatën. Nuk po paragjykoj si saktësisht Prokuroria Speciale i ka shkruar gjykatës, por nëse ka thënë se po refuzon, ky është mashtrim. E vetmja çështje është lokacioni, e vetmja kërkesë e kryeministrit ka qenë që të jepte dëshminë në kryeministri” u shpreh Haxhiu.