75 Mall Live Search
10:33 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2025 / LB

Nesër do të mbahet mbledhja e parë e Këshillit shtetëror për shënimin e Epopesë së UÇK-së

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se nesër do të mbahet mbledhja e parë e Këshillit shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çeku tregoi edhe përbërjen e këtij këshilli.

  1. Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes, kryesues;

2. Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt, bashkëkryesues;

3. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

4. Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

5. Bashkim Jashari, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;

6. Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, anëtar;

dhe 7. Përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, anëtar,  

Me këtë vendim, Zyra e presidentes, Kuvendi i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ftohen ta dërgojnë nga një përfaqësues.

Lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta, ministri Çeku deklaroi:

“Ne ju kemi dërguar ftesë, pasi janë me vendim anëtarë të këshillit. Po e presim konfirmimin e tyre. Dje deklaruan se do të mbajnë konsultim të brendshëm… Ne i ftojmë të jenë pjesë pasi aty e kanë vendin. Epopeja e UÇK-së është e të gjithëve, sidomos e atyre që kanë dhëne kontribut në luftë… Aty, ata e kanë vendin, duhet të jenë aty. Nuk ka të bëjë me një parti politike, apo me tjetrën. Këshilli është shtetëror, është i shtetit të Kosovës, dhe aty shënohet një datë që është e të gjithë neve”, u shpreh ministri Çeku, përpara mediave.

Çeku shtoi se të gjitha shoqatat dhe të gjitha kategoritë janë ftuar në shënimin e këtyre datave, dhe se komunikimi me ta ka qenë i hapur dhe transparent.